Unë jam Anxhela Lami, lindur më 17 Shtator 1992 në qytetin e bukur të Elbasanit. Që në moshë të herët kam qenë e motivuar dhe e apasionuar në përdorimin e aftësive të mia për të bërë një ndikim pozitiv në komunitetin tim, si dhe për t’u pajisur me njohuritë dhe përvojën praktike të nevojshme për tu bërë një profesioniste e suksesshme në fushën e ligjit.
Në vitin 2011 kam hedhur hapin tim të parë në fushën e Drejtësisë kur vendosa të nisja studimet universitare në ciklin Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës, studime të cilat u përfunduan me sukses dhe me arritje tepër të larta. Gjithashtu, përgjatë kohës që ndiqja studimet Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë, jam antarësuar ne një Organizatë Jo-Fitimprurëse “Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim” në Tetor të vitit 2011, si dhe kam punuar pranë një Studio Ligjore si Asistente në vitin 2012.
Pas përfundimit me sukses të ciklit Bachelor, në vitin 2014 vendosa që njohuritë e fituara ti coj edhe me tej, duke u regjistruar ne ciklin e studimeve pasuniversitare Master po në të njëjtin Fakultet, këtë herë për t’u specializuar në fushën e të Drejtës Penale. Cikël studimesh ky I cili u përfundua sërish me tepër sukses.
Arritjet ishin të larta, e megjithatë doja të shkoja përtej titullit të Juristes. Pas pajisjes me diplomen Master vendosa të regjistrohesha pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë, nga ku u pajisa me licensën time të Avokatit dhe me aftësitë dhe njohuritë e duhura për ta ushtruar këtë profesion në një mënyrë dinjitoze dhe rigoroze.
Pas një formimi të tillë profesional, e përkushtuar për mbajtjen dhe promovimin e drejtësisë për të gjithë, vendosa të filloj dhe të ushtroj profesionin tim si Avokate duke hapur dhe themeluar zyrën time “Ceci Corp Attorneys”. Duke kërkuar të ndihmoj njerëzit që kanë nevojë për ndihmë juridike në cdo fushë të të drejtave duke ju kushtuar atyre kohën dhe profesionin tim, u bëra themeluese e kësaj zyre.
Kam përpiluar dokumenta të ndryshme ligjore dhe kam kryer kërkime të thelluara për t’i ardhur në ndihmë nevojave juridike të kompanisë. Gjithashtu, kam ndihmuar me konsulencën time partnerët e huaj të kompanisë, duke i informuar dhe përditësuar me kuadrin ligjor shqiptar në fushën e biznesit. Fusha të tjera të cilave unë u kam dhënë një rëndësi të vecantë gjatë karrierës sime janë: Verifikime dhe heqje ekspulsesh ,e drejtë civile, familjare, sigurime shoqërore, pronësisë intelektuale dhe industriale, konfliktet gjyqësore etj.
Suksesi në cështjet që ka marrë përsipër kjo zyrë bën që motivimi dhe përkushtimi të jenë gjithnjë e më shumë në rritje. Arritjet profesionale dhe të kësaj zyre kanë qenë një shtysë dhe një motivim tepër i lartë për mua të ndërmerrja një hap të tillë, duke kandiduar për pozicionin e Këshillares së Bashkisë Tiranë.
Si një person gjithmon i gatshëm për të arritur qëllimet e mia dhe për të bërë një ndikim pozitiv në profesionin e Avokatisë e jo vetëm, mendoj se pozicioni i Këshilltares së Bashkisë së Tiranës do më jepte mundësinë për të dëgjuar problematikat e qytetarëve të Tiranës dhe për t’u dëgjuar nga institucioni i Bashkisë, për të qenë më afër qytetarëve dhe për të qenë në brendësi të vendimmarrjeve të ardhshme të Bashkisë së Tiranës.
Kjo është një prej arsyeve të shumta që më ka shtyrë drejt këtij kandidimi tepër të rëndësishëm jo vetëm në karrierën time profesionale, por edhe në jetën time personale si një individ që vlerëson e i përkushtohet ligjit dhe që dëshiron të jetë pranë problematikave të individëve të tjerë për t’i ndihmuar në cdo kohë.