Në kushtet kur Tirana është e tejmbushur me ndërtime të paplanifikuara si pasojë e një qeverie të papërgjegjshme e të korruptuar, për të mirën e cilësisë së jetës së qytetarëve, është bërë e domosdoshme që të rikthehet gjelbërimi sa më shpejtë, aq sa të jetë e mundur në kushtet aktuale. Prandaj, për ta bërë Tiranën sa më të jetueshme për qytetarët, një nga premtimet kryesore elektorale ka për të qenë ndërtimi i 500 oazeve të gjelbra, në formën e kopshteve të mirëplanifikuara me shtresëzime bimore, pranë zonave të ngjeshura urbane. Investimi për secilën nga këto xhepa të gjelbër parashikohet të jetë mesatarisht 10000 euro për oaz, duke pasur një kosto prej 5 milionë euro në buxhetin vjetor.
Për të ndërtuar këto oaze të gjelbra do të përdoret metoda Miyawaki e cila është një metodë kopshtarie që e ka marrë emrin nga ekologu japonez, Akira Miyawaki. Sipas të cilit mjaftojnë 200 metra katrorë për ta zbatuar ndërtimin e një mini-pylli. Kjo metodë kopshtarie ka për qëllim që të krijojë kopshte të gjelbra, të shëndetshme dhe të qëndrueshëm që hedhin shtat në një kohë shumë të shkurtër dhe në hapësira shumë të vogla, duke qenë kështu të përshtatshme për t’u ndërtuar në rrethanat e dendësisë urbane të Tiranës. Metoda Miyawaki përdor një teknikë të quajtur “zmadhimi i natyrshëm”, në të cilën bimët vendosen në shtresa të dendura dhe të ndryshme, duke ndjekur një model të caktuar të kombinimeve të llojeve të ndryshme që siguron një hedhje të shpejtë të shtatit të bimëve.
Metoda Miyawaki ndryshon nga teknikat tradicionaletë pyllëzimit në disa mënyra. Së pari, ai përdor vetëm specie pemësh vendase në rajon, gjë që çon në krijimin e një ekosistemi pyjor natyror dhe vetë-qëndrueshëm me bimë që mbijetojnë pa nevojë përkujdesjeje shtesë. Së dyti, pemët mbillen me denduri të lartë dhe në shtresa të shumta, gjë që maksimizon përdorimin e hapësirës në dispozicion dhe nxit rritjen e shpejtë. Së fundi, metoda përfshin krijimin e një përpunimi e përzierje të tokës që është specifike për Tiranën, e cila mbështet rritjen e llojeve specifike të bimëve të mbjella. Kjo mbjellje me shtresa të kombinuara bimësh që e mbajnë ose jo gjethen në dimër ose që lulëzojnë në periudha të ndryshme, i japin pamje të ndryshme oazeve në çdo stinë, kur të bien lulet e njërës bimë fillojnë të dalin ato të të tjerave duke siguruar zgjatjen e hijeshisë gjatë tërë vitit. Po ashtu ka një nivel të përqendruar gjelbërimi duke pasur edhe një efekt të shtuar në pastrimin e ajrit dhe prodhimin e oksigjenit.
Ndërtimi i 500 oazave të vogla të kopshteve në zonat e mbipopulluara urbane të Tiranës do të ketë shumë përfitime.
Këto xhepa me gjelbërim të dendur në shtresa, do të ndihmojnë në thithjen e ndotësve nga ajri, dioksidit të karbonit dhe gazrat e tjerë të dëmshëm, dhe do të çlirojnë oksigjen të pastër, i cili mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në zonat urbane të mbipopulluara duke e bërë jetën në Tiranë më të shëndetshme.
Bimët dhe pemët thithin nxehtësinë për të zvogëluar efektin e ishullit të nxehtësisë në zonat e ngjeshura urbane. Ishulli i nxehtësisë është një term i përdorur për të përshkruar rritjen e temperaturave ku sipërfaqet e betonit, asfaltit dhe tarracës nuk mund të ftohen shpejt. Kjo rritje e temperaturës mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e banorëve të qyteteve. Duke ndërtuar oaze te gjelbër, ne mund të ndihmojmë për të ftohur zonat përreth, dhe të reduktojmë ndikimin negativ të ishujve të nxehtësisë urbane.
Kopshtet e gjelbra urbane ofrojnë habitat, korridore dhe burime ushqimi për zogjtë, insektet dhe kafshë të tjera të egra, të cilat mund të ndihmojnë në rritjen e biodiversitetit në Tiranë. Kjo gjithashtu mund të ndihmojë në krijimin e një ekosistemi më të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm ekologjik në qytet.
Tashmë është bërë një rregull që Tirana të përmbytet sa herë që përballet me shira të vrullshëm, dhe një ndër shkaktarët kryesorë është mungesa e gjelbërimit. Oazet absorbojnë ujin: Kopshtet dhe hapësirat e gjelbëruara kanë bimësi që mund të mbajë një pjesë të shiut të rënë si dhe kanë tokë të butë që mund të absorbojë lehtësisht ujin, dhe këto dy elemente kufizojnë rrjedhjen e vrullshme e të menjëhershme të ujit drejt rrugëve e kanalizimeve.
Studime të shumta kanë treguar se ekspozimi ndaj hapësirave të gjelbra mund të ndihmojë në reduktimin e stresit, ankthit dhe depresionit, si dhe të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme mendore. Duke ndërtuar xhepa të vegjël kopshtesh të gjelbra në zonat urbane, ne mund të ndihmojmë për të siguruar një mjedis të këndshëm dhe qetësues për banorët e qytetit.
Kopshtet e gjelbra shtojnë bukurinë e zonave urbane dhe mund të ndihmojnë në krijimin e një peizazhi më estetikisht të këndshëm dhe tërheqës. Kjo gjithashtu mund të ndihmojë në përmirësimin e vlerave të pronës dhe ta bëjë zonën më tërheqëse e të hijshme për banorët.
Këto hapësira i japin gjallëri edhe shpirtit të komunitetit sepse mund të përdoren për prindër që shëtisin fëmijët, fëmijë që mund të luajnë me njëri-tjetrin ose të bëjnë aktivitete fizike, ndërveprime sociale, të moshuar që çlodhen e luajnë me njëri-tjetrin.