fbpx

Transporti Publik Falas

Mbështetje direkte për
200,000 banorë të Tiranës

Çfarë do të thotë?

Ne do të nxisim qytetarët që të përdorin masivisht transportin publik, duke hequr pagesat e biletave, duke e bëre të gjithë sistemin elektrik si dhe duke investuar në sigurinë, zgjerimin dhe cilësinë e shërbimit urban. Transporti pa pagesë jo vetëm ul koston e jetës, por edhe përbën një shërbim publik tjetër të nevojshëm që iu jepej taksapaguesëve në këmbim të tatimeve të mbledhura prej tyre.

 

Përse kjo nismë?

  • Ulet kostoja e jetës, sepse kostoja e biletave është peshë e rëndë për familjet e varfëra dhe mundësia për të lënë makinën në shtëpi ul koston e kripur të karburantit.
  • Lehtësohet trafiku rrugor pasi më shumë qytetarë do të zgjedhin të përdorin autobusët falas e të lënë makinat në shtëpi.
  • Pastrohet mjedisi, sepse ulja e numrit të makinave që qarkullojnë do e bëjë ajrin më të pastër e të shëndetshëm dhe do të ulë gjithashtu zhurmat ne qytet.
  • Kursehet kohë, sepse rrugët e çliruara nga trafiku i shfryrë do të mundësojnë rritjen e shpeitësisë së lëvizjes nga një vend në tjetrin brenda qytetit, si dhe hiqen radhët e biletave dhe aboneve.
  • Më shumë parkime të lira në rrugë për të gjithë ata qytetarë që e kanë të pashmangshëm përdorimin e makinës, pasi rrugët do të kenë më pak qarkullim.

 

Si do të realizohet?

Për të shmangur mbipopullimin derisa të blihet numri i nevojshëm i autobusëve, kjo reformë do të zbatohet gradualisht duke filluar nga shtresat në nevojë. Brenda dy vjetësh, Bashkia Tiranë do të subvencionojë blerjen e autobusëve të rinj elektrikë nga operatorët privatë të autobusëve, në mënyrë që të rritet sasia, shpeshtia dhe cilësia e qarkullimit me autobusë qytetas.

Bashkia do të nxisë kalimin drejt autobusëve elektrikë që kanë kosto operacionale shumë herë më të ulët se ata me karburant. Secili autobus do të ketë paisje GPS për të treguar vendndodhjen që do shfaqet në kohë reale në stacione dhe internet.

Transporti do të bëhet shumë herë më i sigurt, sepse secili autobus do të ketë kamera të brendshme, ndërsa stacionet e autobusëve do të jenë me kamera e ndriçim të bollshëm.

Do të vendosen linjat e para të shpejta metrobus me korsi të dedikuar, të cilat do të kenë vetëm pak ndalesa për të patur tranzitim të shpejtë nga njëra anë e qytetit në tjetrën.

Për qytetarët që vijnë nga jashtë Tiranës do të aplikohet sistemi “Parko dhe Vazhdo”. Do të ndërtohen parkime shumëkatëshe dhe të sigurta në pikat kyçe të hyrjes në Tiranë, ku të lënë makinat e tyre dhe mandej të udhëtojnë drejt qendrës së qytetit me autobusë falas.

 

Sa kushton nisma?

Kosto aktuale e transportit publik në Tiranë është rreth 16.5 milionë euro në vit. Buxheti aktual i Bashkisë Tiranë është përafërsisht 240 milionë euro. Për të rritur cilësinë dhe arritur numrin e duhur të autobusëve, bashkia do të dedikojë afërsisht 5 milionë euro në vit për të subvencionuar operatorët privatë që të blejnë autobusë të rinj elektrikë. Pra, në total transporti pa pagesë së bashku me modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit do t’i kushtojë bashkisë rreth 21.5 milionë euro në vit nga taksat e mbledhura prej qytetarëve.

 

Ku është aplikuar?

Talini në Estoni ishte kryeqyteti i parë që e nisi politikën e transportit falas në vitin 2013. Lista e qyteteve europiane me tarifa transporti është shumë e gjatë, duke përfshirë Dunkirk (Francë), Akureyri (Islandë), Livigno (Itali), Haselt (Belgjikë), Samokov (Bullgari), Avesta (Suedi), Mariehamn (Finlandë), Nysa (Poloni) etj. Madje kjo nismë është aplikuar dhe në nivel shteti nga Luksemburgu dhe Malta. Nismën për transport falas e kanë përqafuar dhjetëra qytete përtej Europës, si psh: Kansas City (SHBA), Chambly (Kanada), Perth (australi) apo Chenging (Kinë) etj.